Nuk është rastësi që Floid Meiuedher ka marrë nofkën “Money” (para). Sportisti më i paguar në botë, aktualisht po fiton para jo vetëm me kontrata e tij marramendëse për ndeshjet, por edhe nëpërmjet basteve.
Një natë më parë, Meiuedher është bërë protagonist i një basti të çmendur, duke hedhur shumën e 6 milion dollarëve në 9 kompani të ndryshme bastesh në favor të një fitoreje me më shumë se 7 pikë diferencë të Majemit ndaj Indianas në ndeshjen e 7-të të finales së Konferencës së Lindjes.
Meiuedher duhet t’i blejë një dhuratë të mirë lojtarëve të Majemit, të cilët të udhëhequr nga LeBron Xhejms, autor i 32 pikëve, fituan me rezultatin e thellë 99-76. Nga ky sukses, Meiuedher thuajse dyfishoi shifrën e vënë bast, duke regjistruar një fitim prej 11.2 milion dollarësh.
Në fakt kjo nuk është hera e parë që boksieri vë baste të tilla, pasi ai shpesh hedh në Twitter skedina fituese të basteve që ka vënë. Sipas mediave amerikane, në 2-3 vitet e fundit, ai ka postuar skedina fituese që në total kapin shifrën e 3 milion dollarëve. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 04 June 2013 22:48