Dy lojtarë të tjerë shqiptarë i janë bashkuar kampionatit italian të futbollit me skuadra me emër të këtij turneu. I pari është sulmuesi Agon Mehmedi, 22 vjeçari me origjinë nga Kosova, i cili ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me Palermon.
Lojtari ka shpërthyer në kampionatin suedez të futbollit dhe falë paraqitjeve të tij me ekipin e Malmoes (88 ndeshje, 23 gola) ka arritur të bëhet pjesë e përfaqësueses U-21 të Suedisë (8 ndeshje, 2 gola).
Futbollistit i ka përfunduar kontrata me ekipin suedez dhe si rrjedhojë, i është bashkuar Palermos me parametër zero. Drejtuesit e klubit mund t’i besojnë shumë shpejt një vend titullari Mehmedit duke parë problemet që ka patur reparti i sulmit në ndeshjet e fundit.
Ndërkohë, lojtari tjetër shqiptar që i bashkohet kampionatit italian është Shkodran Mustafi, mbrojtësi 20 vjeçar që ka nënshkruar për Sampdorian dhe pritet që të jetë titullar në pjesën e dytë të sezonit në Serinë B.
Mustafi është rritur në radhët e skuadrës së Hamburgut dhe shkëlqeu në moshë të re, duke u bërë pjesë e Kombëtares U-17 të Gjermanisë që u shpall Kampione Evrope në vitin 2009. Më pas, ai iu bashkua Evertonit në kampionatin anglez por pa mbërritur të shpërthente në ekipin e parë.
Ashtu si Mehmedi, edhe Mustafi ka firmosur një kontratë katërvjeçare me klubin italian. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 January 2012 16:29