Tiranë – Fitorja 1-0 e Shqipërisë të shtunën ndaj Bjellorusisë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” nuk ka kaluar pa u vënë re edhe në atdheun e trajnerit Josip Kuzhe, në Kroaci.
Pikërisht mediat e këtij vendi kanë publikuar sot lajmin se kombëtarja e Kroacisë kërkon të emërojë Kuzhen në krye të stolit të saj.
Trajneri Kuzhe është duke zhvilluar një punë mjaft të mirë me kuqezinjte dhe rezultatet pozitive në ndeshjet e kësaj fushate eleminatore kanë rritur vlerën e tij. Kroacia ka humbur me Gjeorgjinë në ndeshjen e fundit dhe trajneri Slaven Bilic është kritikuar ashpër nga opinioni sportiv kroat.
Sigurisht që një ofertë e Federatës kroate në drejtim të Kuzhesë mund të vinte vetëm pas këtyre eliminatoreve, por të gjitha premisat janë që Kuzhe të refuzojë këtë ofertë pasi ai preferon të vijojë rrugën me Shqipërinë. Këtë e ka deklaruar shumë herë kroati gjatë intervistave të tij.
Gjithsesi, pika ku mund të kapen kroatët, është mungesa e rinovimit të kontratës për Kuzhenë nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, që deri tashmë është shtyre disa herë, për të parë ecurinë e kombëtares në këto eliminatore.
Megjithatë, pas fitores me Bjellorusinë, presidenti i FSHF-së, Armando Duka, ka bërë të ditur se do të rinovojë edhe me dy vite të tjera kontratën e kroatit Kuzhe, e cila skadon në përfundim të eliminatoreve për Euro 2012.
Në Kroaci, Kuzhe ka drejtuar vetëm në nivel klubesh ku është ulur në stolin e skuadrave me emër si Dinamo Zagreb e NK Zagreb.
Tuesday, 29 March 2011 13:16