Mediet e huaja i kanë dhënë jehonë vendimit të UEFA-së që pranimi i Kosovës të ndodh në mars të vitit të ardhshëm.
Janë mediet e të gjitha anëve të globit që kanë raportuar për vendimin e komitetit ekzekutiv të UEFA-së, që çështja e pranimit të Federatës së futbollit të Kosovës të diskutohet në kuvendin e rregullt vjetor në mars të vitit të ardhshëm në Budapest të Hungarisë.
REUTERS – “Kosova do të bëhet anëtare e 55-të e UEFA-së në mars të vitit të ardhshëm, nëse pranohet aplikimi i saj nga kuvendi i UEFA-së që mbahet në Budapest”, raporton agjencia e njohur e lajmeve, Reuters.
“Qëllimi i pranimit të plotë të Kosovës është afruar edhe më shumë me vendimin e KE të UEFA-së që aplikimi formal për anëtarësim të jetë në agjendë. Nëse aprovohet një gjë e tillë që edhe pritet të ndodh, Kosova do të bëhet anëtare me të drejta të plota të FIFA-së në kongresin vjetor që mbahet vitin e ardhshëm në maj në Mexico City”.
Sekretari gjeneral i UEFA-së, Gianni Infantino konfirmoi se Kosova do të jetë në agjendë. Klubet e saj do të garojnë në kupat e UEFA-së, dhe kombëtarja e saj mund të pranohet në kualifikime të botërorit 2018. Shorti është hedhur në korrik në Rusi, por Kosova potencialisht mund të kyqet në njërën ndër grupet evropiane që kanë nga pesë ekipe”, raporton Reuters.
L’EQUIPE – Gazeta e njohur franceze, L’Equipe po ashtu ka raportuar lajmin. “Kosova do të paraqes kërkesën për anëtarësim më 2016”.
AFTONBLADET – “Për gjashtë vite Kosova ka ndërtuar ekipin e vet kombëtar të futbollit”, raporton gazeta e njohur suedeze, duke prezantuar edhe pjesë të bisedës me selektorin, Albert Bunjaki.
“Është një ndjenjë e papërshkrueshme. Ndjehemi më të qetë, ka qenë një angazhim i të gjithëve me gjetur zgjidhje”, i tha Bunjaki kësaj gazete.
MUNDO DEPORTIVO – “UEFA do të vendos më 2016 për pranimin e Kosovës”, raporton gazeta e njohur.
O JOGO – “Kosova dëshiron të bëhet anëtare e UEFA-së më 2016”, është titulli i medias së njohur portugeze. /Sport1/
Friday, 18 September 2015 19:19