Tiranë – Dinamo Kiev, Benfika, Spartak Moskë, Tuente, Porto, PSV, Braga dhe Villareal janë tetë skuadrat e para që kanë kaluar në çerekfinalet e Europa League. Ndërkohë që janë eliminuara dy skuadrat e mëdha angleze: Manchester City dhe Liverpol, po ashtu dhe Ajaks e Rangers.
Manchester City edhe pse fitoi 1-0 me Dinamon e Kievit nuk mundi të kalonte ukrainasit që kishin fituar takimin e parë 2-0. Mario Balotelli doli me karton të kuq në minuten e 36-të, tri minuta përpara se Kolarov të shënonte golin e vetëm, por që nuk mjaftoi për ekipin e Roberto Mancinit.
PSG barazoi 1-1 me Benfikën, por falë takimit të parë, ishin portugezët ata që kaluan në çerekfinale. Golat e ndeshjes së kthimit mbajnë firmat e Gaitan (27′) për Benfikën dhe Bodmer (35′) për PSG.
Spartaku i Moskës shkatërroi 3-0 Ajaksin, me holandezët që kishin humbur edhe ndeshjen e parë: 1-0 në Holandë. Kombarov (21′), Uelliton (30′) dhe Aleks (54′) ishin autorët e golave për skuadrën ruse.
Zenit St.Petersburg fitoi 2-0 me Tuenten, por skuadra nuk kaloi dot për në çerekfinale, pasi takimin e parë e kishte humbur 3-0 në Enschede. Shirokov dhe Kerzhakov ishin autorët e golave për rusët.
Liverpul doli në mënyrë surprizuese nga Europa League, ndaj portugezëve të Bragës. “Reds” nuk shkuan më shumë se barazimi pa gola në “Anfield Road”. Ekipi anglez pati disa raste të mira me anë të Maxi Rodriguez, Spearing. Liverpul vuajti mungesën e kapitenit Steven Gerrard. Takimi i parë në Portugali kishte përfunduar 1-0.
Porto iu bashkua grupit të tetë më të mirave, pasi fitoi 2-1 me CSKA-në e Moskës. Fati i ndeshjes u vendos që në 30 minutat e para, kur u shënuan dhe të tre golat: Hulk (1′) dhe Guarin (24′) realizuan për Porto, ndërsa golin e vetëm për CSKA-në e shënoi Tosiç (29′). Takimi i parë kishte përfunduar 1-0 për Porton.
PSV Eindhoven kaloi pengesën Rangers, duke fituar 1-0 ndeshjen e kthimit të luajtur në Skoci. Golin e vetëm e shënoi Lens në minutën e 13-të. I pafat Rangers: shtyllë, dhe një penallti e mohuar. Takimi i parë në Eindhoven kishte përfunduar 0-0.
Villareal theu për herë të dytë gjermanët e Bayer Leverkusen, kësaj radhe 2-1, pas ndeshjes së parë të fituar 3-2 në Leverkusen të Gjermanise. Cazorla dhe Rossi shënuan për spanjollët, ndërkohë që vetëm sa për statistikë shërbeu goli i Derdiyok.
Friday, 18 March 2011 08:04