Nuk ka vonuar shumë reagimi i Marko Materacit ndaj Rafael Benitez, pasi trajneri spanjolle e kishte etiketuar si “gënjeshtar” mbrojtësin italian për deklaratat e këtij të fundit.
“Unë qenkam gënjeshtar. Atëherë po them se ai është i dobët, kështu të paktën ka mundësi të thotë se ka të drejtë. Më vjen keq t’i uroj fat tifozëve të Çelsit, por do ta bëj një gjë të tillë pasi sinqerisht që më vjen keq për ta”, ishte komenti i mbrojtësit italian.
Pak ditë më parë, Benitez shpërtheu kundër ish-futbollistit që drejtoi gjatë eksperiencës së tij të shkurtër te Interi duke e quajtur një gënjeshtar të mirëfilltë.
“Janë gënjeshtra, çdo gjë që thotë është gënjeshtër. Edhe bisedat me Murinjon, edhe çështja e fotove, gjithçka është gënjeshtër”, tha Benitez, duke iu referuar pretendimeve të Materacit se spanjolli e ka detyruar të heqë nga dhomat e zhveshjeve foton me Murinjon. (LajmeShqip.com)
Monday, 28 January 2013 18:10