Rafael Benitez po planifikon të bëjë blerje të bujshme për projektin e ri të Napolit, ndërsa ka piketuar edhe emrat e atyre që sipas tij janë lojtarët e duhur për të ndërtuar një skuadër pretendente për trofe. Emri i parë në listën e Benitez është mesfushori Havier Maskerano, i cili nuk po gjen më hapësira te Barcelona.
Argjentinasi është një nga futbollistët e besuar të trajnerit spanjoll që në kohën kur gjendeshin te Liverpuli dhe kohët e fundit mes trajnerit dhe lojtarit ka pasur kontakte të drejtpërdrejta telefonike.
Duket se Benitez ka marrë nga futbollisti një “po” dhe tashmë po mendon si t’i bëjë Barcelonës një ofertë prej 12-15 milion eurosh, për ta bindur të lërë të lirë futbollistin i cili në këtë edicion ka luajtur më pak, qoftë në mesfushë, qoftë në mbrojtje ku aktivizohej më para nga Guardiola.
Për sulmin, pas largimit të Kavanit, do të kërkohet një lojtar tjetër me peshë dhe Benitez ka bërë të qartë se nuk dëshiron Mario Gomez, por Edin Xheko. Për këtë arsye, në diskutimet që po bëhen me Mançester Sitin për shitjen e uruguaianit, do të përpiqet që të përfshijë edhe boshnjakun, duke i garantuar këtij të fundit një vend si titullar, të cilin nuk e ka të sigurt aktualisht te skuadra angleze. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 04 June 2013 22:44