Mesfushori i Barcelonës, Havier Maskerano, duke folur në konferencën për shtyp, ka deklaruar se nuk do të ishte tragjedi nëse Reali i Madridit fiton titullin kampion këtë sezon.
Katalanasit janë ende në garë, por distanca prej 7 pikësh me madrilenët mund të jetë e parekuperueshme.
“Nëse Real Madrid i fiton të gjitha ndeshjet e mbetura, do t’i duartrokasim dhe do t’i përgëzojmë ata, pasi do të jetë fitues me meritë. Por ajo që duhet të bëjmë ne tani është të vazhdojmë serinë e fitoreve dhe të shpresojmë”.
“Realiteti është i tillë, nuk duhet të humbim më pikë rrugës por nëse ata fitojnë çdo ndeshje, për ne nuk ka shanse. Megjithatë, nuk kemi luksin të mos përfitojmë sa herë që të na shfaqet një shans minimal”, deklaroi futbollisti argjentinas.
Më pas, ai ka folur edhe rreth faktit që po luan në pozicione të ndryshme në formacion. “Kam luajtur si qendërmbrojtës për nevojat e ekipit por në këtë pozicion, Pujol dhe Pike formojnë dyshen më të mirë në botë. Mund të luaj në mesfushë por nuk uroj dëmtimet e shokëve të skuadrës që të gjej vend unë”, përfundoi Maskerano. (LajmeShqip.com)
Monday, 06 February 2012 19:27