Endi Marrei ka treguar se tashmë mund të cilësohet pa frikë një ndër të mëdhenjtë e tenisti botëror, duke mundur Roxher Federer në gjysmëfinalen e Australian Open dhe duke siguruar finalen përballë Novak Gjokoviç.
25 vjeçari skocez arriti të mundte përsëri Federer, ashtu si në finalen e Londër 2012, ndërsa iu deshën 4 orë dhe 5 sete (6-4, 6-7, 6-3, 6-7, 6-2) për të kaluar tenistin zviceran dhe për të shkuar për herë të tretë në karrierën e tij në finalen e Australian Open.
“Është gjithmonë e vështirë kundër Federer në një Grand Slam, pasi ai aty jep më të mirën. Kur ishte me shpinë pas muri, ai nxori disa goditje të pabesueshme, por fatmirësisht humbi disa të tjera në setin e pestë dhe unë arrita të fitoj”, tha Marrei pas ndeshjes.
“Eksperienca e vitit të kaluar do të më ndihmojë, edhe Olimpiada gjithashtu, por nuk është kurrë e lehtë kur luan për një vend në finale. Tani duhet të jem gati për ndeshjen kundër Novak, që është gjithmonë fizike. Kjo është fusha e tij e preferuar dhe ai ka fituar këtu tre herë radhazi. Ndaj duhet të jap maksimumin për të fituar”, tha Marrei, i cili pas dëmtimit të Nadal, është kthyer në kundërshtarin e vetëm të madh për dyshen Gjokoviç-Federer. (LajmeShqip.com)
Friday, 25 January 2013 15:03