Tenisti britanik, Endi Marrei, u ka bërë thirrje drejtuesve botërorë të këtij sporti që të marrin masa për të siguruar që dopingu të mos bëhet mbizotërues në këtë disiplinë. Sipas tij, duhen shtuar kontrollet dhe testet antidoping, sidomos ato që zhvillohen gjatë periudhave kur nuk ka turne.
Numri 3 në renditjen botërore ka folur pozitivisht për faktin se iu krye një kontroll surprizë antidoping në hotel, pak ditë para se të fillojë turneu i Bersi në Francë, ndërsa shpreson që këto “vizita” të vazhdojnë edhe kur tenistët të zhduken për stërvitjet dimërore para fillimit të sezonit të ri.
“Kontrollet jashtë aktiviteteve mund të bëhen më mirë. Në dhjetor, kur tenistët fillojnë stërvitjen për sezonin e ri, do të ishte koha e përshtatshme për të bërë kontrolle surprizë. Vizita në hotel e testuesve antidpoing të shtunën ishte e mirë, pasi ne nuk jemi mësuar të kryejmë shumë testime të tilla, sidomos me analiza gjaku”.
“Kur dëgjon gjëra si ato të çështjes Armstrong, ato bëhen mëse të nevojshme. Është e turpshme për sportin e çiklizmit, por edhe e pabesueshme se si kanë arritur t’ia hedhin për një kohë aq të gjatë. Kuptohet që tenisi nuk është një sport krejtësisht fizik dhe aftësitë nuk i mëson dot nëpërmjet drogës. Mendoj që në nivelin më të lartë, sporti ka qenë relativisht i pastër, por nuk mund të jetë ky një justifikim për të mos bërë 100% për ta mbajtur atë të pastër edhe në të ardhmen”, tha skocezi.
Pak vite më parë, Andre Agasi pranoi në autobiografinë e tij se autoritetet e tenisit botëror kishin fshehur një analizë pozitive ndaj metamfetaminës, duke shtuar dyshimet se ky sport nuk ka qenë aq i kujdesshëm sa të tjerët. Vetë të dhënat e Marrei tregojnë se në vitin 2010 ai nuk ka zhvilluar asnjë lloj analize antidoping gjatë periudhës jashtë aktiviteteve.
Në të njëjtin vit, tenisti amerikan Uejn Odesnik, nuk u kap me antidoping nga testuesit e certifikuar, por nga autoritetet doganore në aeroportin Melburnit pasi kishte me vete në çantë epruveta me hormone. Ironikisht, dënimi i tij me 2 vite pezullim u shkurtua në 6 muaj, pasi ai pranoi të bashkëpunonte me autoritetet. “Ne na kontrollojnë shpesh edhe ushqimet, por tregohen të butë me njerëzit që mbajnë hormone me vete”, ishte batuta e Marrei. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 30 October 2012 13:40