Bepe Marota, drejtori sportiv i Juventusit, tashmë do të fillojë ethshëm punën për të përforcuar skuadrën për sezonin e ardhshëm. Drejtuesi i juventinëve ka pranuar se klubi po interesohet të afrojë një tjetër sulmues dhe se emri më i mundshëm për momentin duket ai i Karlos Tevez.
“Është e vështirë të thuash se kush është më i thjeshtë për t’u arritur mes Tevez dhe Higuain. Ky i fundit është më i ri dhe ka një vlerë merkatoje më të lartë, ndërsa Tevez ka vetëm një vit kontratë të mbetur dhe ndoshta për këtë arsye është më e lehtë për t’u siguruar firma e tij. Nuk është se e kemi zbuluar ne si lojtar. Ai ka dëshirën të rikthehet përsëri në majë, pasi me Mançester Sitin nuk është se dha maksimumin e tij. Por nuk kemi bërë ende asnjë hap para me klubin e tij”, shpjegoi drejtuesi i juventinëve, i cili bëri të qartë se Juventus do të kërkonte me çdo kusht të afronte ndonjë lojtar në repartin e avancuar.
“Në linja të përgjithshme mund të them se duam të përforcojmë këtë repart, edhe pse nuk dua të tregoj emra të tjerë të mundshëm. Kërkojmë një sulmues, pasi Konte është elastik në aplikimin e moduleve të ndryshme dhe arrin të transformojë rreshtimet. Por ai ka si prioritet futbollin total, lojtarët duhet të përshtaten me stilin tij. Objektivi ynë është të përforcohemi, por me lojtarë që përputhen me idenë taktike të trajnerit, ndaj në merkaton e verës do të shkojmë me këtë ide në mendje”, tha Marota. (LajmeShqip.com)
Sunday, 19 May 2013 11:08