Bepe Marota ka hedhur poshtë zërat se Juventusi po ndjek me vëmendje situatën e Didier Drogba, i cili mendohet se ka prishur marrëdhëniet me Shangai Shanhua dhe do të kthehet përsëri në Evropë. Futbollisti afrikan është raportuar si një nga objektivat e mundshëm të merkatos së bardhezinjve, pasi ata po kërkojnë një golashënues të mirëfilltë dhe ish-lojtari i Çelsit duket si personi i duhur për këtë rol.
Por para ndeshjes me Kaljarin, Marota bëri të qartë se kjo nuk ishte një hipotezë reale, pasi klubi nuk po kërkonte një lojtar i cili do të qëndronte i shkëputur për shumë kohë në Kupën e Afrikës.
“Drogba? Nuk e di nga kush ka lindur kjo ide, por ne nuk kemi pasur asnjë kontakt me të. Kjo ka ardhur pjesërisht edhe për faktin se ai luan në Kupën e Afrikës dhe do të jetë larg Evropës për një periudhë të gjatë”, tha drejtuesi i bardhezinjve, i cili bëri të qartë se një blerje e mundshme mund të bëhej në repartin e mbrojtjes.
“Për shkak të largimit të Lucio dhe dëmtimit të Kielinit, ne po kërkojmë një lojtar për mbrojtjen. Në sulm vazhdojmë të jemi të vëmendshëm pasi marrim pjesë në Ligën e Kampioneve. Por duhet të respektojmë edhe grupin aktual të lojtarëve. Jo rastësisht, jemi skuadra që ka shënuar më shumë gola në këtë sezon në Itali”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Saturday, 22 December 2012 15:05