Maroku ka shkarkuar nga detyra trajnerin Erik Gerets, vetëm një javë pas humbjes 2-0 ndaj Mozambikut që ka vënë në dyshim pjesëmarrjen e kësaj përfaqësueseje në Kupën e Kombeve të Afrikës. Kontrata e tij u mbyll në mënyrë të njëanshme pas një mbledhje të bordit drejtues të Federatës Marokene të Futbollit.
Gerets, një emër shumë i njohur në futbollin botëror, është trajneri i dytë që humbi vendin e punës në një nga ekipet elitare të kontinentit afrikan në ditët e fundit, pasi vetëm 3 ditë më parë Kameruni vendosi të ndërpriste marrëdhënien me trajneri Denis Lavanje.
Trajneri belg ishte në drejtimin e Marokut prej rreth dy vitesh. Ai nisi mirë eksperiencën e tij te kjo skuadër, por kohët e fundit u vu në dyshim për shkak të disa rezultateve të dobëta të arritura, ku i fundit ishte pikërisht ajo humbje në Maputo një javë më parë, që vë në dyshim gjithçka për kualifikimin e mëtejshëm të Marokut në fazën finale, me ndeshjen e kthimit që luhet në muajin e ardhshëm.
Eliminimi që në fazën në grupe në Kupën e Afrikës që u zhvillua në janar, ishte një tjetër “njollë në biografi” për Gerets, në një turne ku Maroku shihej si pretendent kryesor për fitoren e trofeut. 58 vjeçari e mbylli karrierën e tij si trajner i kësaj përfaqësueseje me 7 fitore, 6 barazime dhe 7 humbje në më pak se dy vite në drejtimin e Marokut. (LajmeShqip.com)
Sunday, 16 September 2012 09:01