Maria Sharapova ka arritur të kompletojë serinë e katër turneve madhorë të tenisit të fituar në karrierën e saj, për të mundur në finalen e Ronald Garros në Francë në dy sete italianen Sara Errani.
Rusja 25 vjeçare shfrytëzoi avantazhin e dukshëm në fuqinë e shërbimeve ndaj tenistes italiane dhe arriti të merrte kontrollin që në fillimin e ndeshjes, të fituar në 89 minuta lojë.
Kur Errani dërgoi topin në rrjetë në atë që ishte tentativa e tretë për fitoren e ndeshjes nga Sharapova, rusja ra në gjunjë para se të çonte duart drejt qiellit dhe më pas të kërcente nga gëzimi në mesin e fushës. Fitorja 6-3, 6-2 ishte e para në një Grand Slem që nga momenti kur një dëmtim në shpatull e detyroi të rrinte pushim për 10 muaj në vitin 2009.
Errani ishte surpriza më e madhe e turneut në këtë edicion, pasi ka kaluar në rrugën e saj tre fituese të mëparshme të Grand Slem, ndonëse në karrierë nuk kishte kaluar asnjëherë turin e dytë në turneun prestigjioz francez.
Ndërsa Sharapova ishte në finalen e tretë të një turneu Grand Slam në 11 muajt e fundit, por kishte humbur dy të mëparshmet ndaj Petra Kvitova dhe Viktoria Azarenka.
Në renditjen e re që publikohet të hënën, ajo do të kthehet në numrin 1 të klasifikimit botëror, vend të cilin e ka lënë në vitin 2008.
“Ndoshta është momenti më i veçantë në karrierën time. Nuk kam ndjerë ndonjëherë më shumë kënaqësi sesa kur pashë trofeun sot. Është thjesht e pabesueshme”, ishin fjalët e saj. (LajmeShqip.com)
Saturday, 09 June 2012 17:01