Punëtorët e ndërtimit që ndihmuan në rindërtimin e stadiumit të famshëm “Marakana” në Brazil, do të kenë nderin që të luajnë në ndeshjen e parë në impiantin e ri në fund të këtij muaji. Lajmin e konfirmoi Sekretari për Sportin në Rio De Zhaneiro, Andre Lazaroni, i cili bëri të qartë se më në fund ky stadium do të përfundonte rikonstruksionin me 24 prill.
Ndeshja e parë që do të zhvillohet atje do të jetë një miqësore testuese me 27 prill, ndërsa në skuadrën që do të zbresë në fushë do të ketë disa nga yjet e Brazilit në vite, mes të cilëve Ronaldo e Bebeto. Përkrah tyre, do të luajnë edhe punëtorët që morën pjesë në rikonstruksion.
“Kjo është mënyra jonë për t’i thënë faleminderit të gjithë punëtorëve”, shpjegoi Lazaroni. “Stadiumi do të kthehet përsëri në një tempull të futbollit por aktiviteti i parë me 27 prill do të jetë i mbyllur për publikun, do të jetë vetëm për punëtorët dhe familjarët e tyre”.
Stadiumi legjendar brazilian regjistron edhe rekordin për numrin më të madh të tifozëve në një ndeshje futbolli, pasi në finalen e Kupës së Botës në vitin 1950, kur Uruguai mundi 2-1 Brazilin, prania e tifozëve në stadium u regjistrua mes 199 mijë dhe 205 mijë personave. (LajmeShqip.com) (LajmeShqip.com)
Friday, 12 April 2013 10:31