Diego Armando Maradona ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet e mundshme për emra lojtarësh të njohur që mund t’i bashkohen Al Uasl, skuadrës që ai drejton në Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjatë një konference për shtyp ai ka theksuar se klubi nuk ka një buxhet aq të lartë sa për të blerë spanjollin Raul, të cilit i përfundon kontrata me Shalken, ndonëse ka insistuar se kërkon përforcime të tjera për ekipin e tij.
“Kur flitet për Raul, nuk ka asgjë të vërtetë në këtë histori. Lojtarët e huaj që do të dëshironim janë Mesi, Aguero dhe Ksavi. Nëse do t’i marrim, jam i bindur se mund të gjejmë ndonjë futbollist aziatik për t’ia bashkuar atyre”, u shpreh ai me humor para gazetarëve.
Maradona ka bërë të qartë se nga skuadra do të largohen Edson Puç and Riçard Porta, në mënyrë që të hapen vende për lojtarë të huaj, por ai sqaroi se ka një buxhet shumë të vogël dhe nuk mund të përballojë blerje të mëdha.
“Për këdo që vjen, do të jetë parësor çmimi, i cili është një faktor i rëndësishëm për ne. Lojtarë si Drogba nuk përputhen me buxhetin tonë. Duhet të gjejmë një mënyrë që të përmirësojmë skuadrën brenda buxhetit ekzistues”, deklaroi Maradona, i cili ka një kontratë dyvjeçare me Al Uasl. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 January 2012 12:57