Diego Armando Maradona ka përdorur gjithë elokuencën e tij për t’i kërkuar Al-Uasl që të kthejë vendimin për shkarkimin e tij, duke insistuar që skuadra e Dubait të vazhdonte ta mbante në drejtimin e saj edhe në sezoni e ardhshëm.
Legjenda e futbollit botëror ka shprehur dëshpërimin e tij rreth situatës në një letër të hapur që i drejtohej pronarëve të klubit.
“Si përgjigje ndaj deklaratave të fundit të drejtuesve të klubit, dua të bëj të ditur se shpresoj që të mund të vazhdoj të qëndroj në këtë vend fantastik që më ka pritur kaq mirë. Në veçanti, falënderoj princin që më ka dhënë mundësinë të drejtoj një skuadër të Emirateve”.
“Gjatë kohëve të fundit jemi munduar që të arrijmë një akord për blerjen e lojtarëve, faktor i nevojshëm për të arritur rezultate të mira. Fatkeqësisht, janë bërë disa deklarata me të cilat nuk ndaj të njëjtin qëndrim. Sheiku Ahmad më ka dhënë të gjithë ndihmën e tij, ndaj shpresoj që të arrihet të organizohet sa më shpejt një mbledhje ku të diskutohen këto tema, duke qenë i sigurt se mund të gjejmë një akord”, shkruhet në deklaratën e Maradonës.
Por Al-Uasl duket nuk ka ndër mend të ndryshojë qëndrim dhe këtë e ka treguar nëpërmjet një deklarate të zëvendëspresidentit Muhamed Bin Dukhan. “Vendimi është marrë pas një diskutimi të thellë teknik e ligjor. Ky është momenti i duhur për t’u ndarë nga ai dhe për të synuar një emër të ri për ekipin”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 12 July 2012 08:40