Diego Armando Maradona si gjithmonë përdor humorin edhe kur dëshiron të flasë për tema serioze. Një gjë të tillë e ka bërë edhe kur ka folur për skuadrën e tij të zemrës, Napolin, si dhe mundësinë që nga ky ekip të largohet sulmuesi Ezekuiel Laveci.
Sipas tij, ka ardhur koha që futbollisti të ndryshojë ambient, pasi tani ka përfunduar ciklin e tij me skuadrën napolitane.
“Nëse do të isha De Laurentis, duhet të mendoja si ta shisja sa më mirë, pasi cikli i Lavecit ka përfunduar. Më shumë se kaq nuk mund të bëjë, ka dhënë gjithçka për këtë skuadër. Nëse Interi ofron shumë para, Napoli duhet ta shesë, ky është momenti i duhur. Interi duhet ta paguajë ashtu siç pagoi blerjen e Ronaldos. Moratit nuk është se i mungojnë paratë”, është shprehur me humor legjenda e futbollit argjentinas.
Duket se këtë këshillë do ta ndjekë edhe vetë klubi italian, pasi largimi i Lavecit është dukur mëse i sigurt në darkën e organizuar nga drejtuesit e klubit me rastin e mbylljes së kampionatit. Vetë presidenti De Laurentis i ka uruar atij fat kudo që të shkojë në të ardhmen.
“Dua të të falënderoj, ke qenë gjithmonë i sinqertë me napolitanët, me të gjithë ne. Të uroj më të mirën për të ardhmen, si nëse vendos të qëndrosh, ashtu edhe nëse vendos të largohesh. Të gjithë të duam shumë”, ishin fjalët e presidentit të Napolit gjatë kësaj darke festive. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 16 May 2012 19:30