Presidenti i Federatës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Jousef Al Serkal, ka konfirmuar se Diego Armando Maradona është në listën e kandidatëve për të marrë drejtimin e kombëtares së këtij vendi.
Kjo detyrë po kryhet përkohësisht nga Abdullah Misfir, i cili zëvendësoi Sreçko Katanec, i larguar nga puna pas një sërë rezultatesh të dobëta gjatë eliminatoreve të Botërorit 2014.
Al Serkal tha se Maradona, aktualisht trajner i Al Uasl në kampionatin e Emirateve të Bashkuara Arabe, bënte pjesë në listën e dëshirave, por nuk e përjashtoi mundësinë që ekipi t’i kalonte një emri më pak të njohur.
“Po, ne kemi menduar t’i japim drejtimin Maradonës. Ai është një nga emrat prej të cilëve nuk hiqet dorë lehtë, sidomos për faktin se ai është aktualisht në vendin tonë. Por ne do të marrim në konsideratë edhe aspektin financiar të situatës”.
“Qëllimi ynë është të publikojmë emrin e trajnerit të ri para përfundimi të sezonit, por do të dëshironim të mbyllnim që tani marrëveshjen në mënyrë që trajneri i ri të ndiqte kampionatin. Mund të them vetëm që na duhet një trajner tek i cili lojtarë mund të kenë besim, jo si i fundit”, deklaroi ai.
Një motiv më shumë për të shtyrë Maradonën drejt këtij posti është fakti se ai ka folur negativisht për drejtuesit e skuadrës së Al Uasl, pasi këta të fundit nuk e mbajtën premtimin për të sjellë në skuadër 6 lojtarë të rinj gjatë merkatos së janarit. (LajmeShqip.com)
Monday, 30 January 2012 16:27