Roberto Mançini është përballur përsëri me dyshime rreth të ardhmes së tij, pasi një nga drejtuesit e Mançester Sitit, Çiki Begirishtajn, është parë në një takim me menaxherin e trajnerit Manuel Pelegrini. Ky i fundit duket se po bëhet gati të largohet nga Malaga dhe klubi anglez është i interesuar për shërbimet e tij, me Mançinin që është detyruar të pranojë para mediave se presidenti Al Mubarak nuk i kishte dhënë ende konfirmimin përfundimtar të qëndrimit.
“Nuk kemi pse flasim për çështje të tilla. Ne nuk kemi probleme, kemi një marrëdhënie të mirë. Në dy vite kemi fituar tre trofe dhe tani kemi mundësinë të fitojmë një tjetër. Nëse në tre vite nuk do të kishim fituar, do ta kuptoja, por deri tani kemi bërë një punë të mirë”, ishte komenti i Mançinit për paraqitjen e tij në drejtimin e Mançester Sitit.
“Tani kemi mundësinë të fitojmë përsëri Kupën FA dhe jemi të dytët në klasifikim. Në fund të sezonit, presidenti mund të marrë çdo lloj vendimi rreth trajnerit por për momentin them se nuk kemi asnjë problem. Jam i mërzitur pasi dëshiroja të fitoja një tjetër titull kampion. Kishim një shans për ta bërë një gjë të tillë, por shpesh bëhen gabime. Pse u bë ky takim? Për këtë gjë bëni mirë të pyetni Çikin”, deklaroi trajneri italian.
“Gjatë gjashtë muajve të fundit, njerëzit kanë shkruar gjithçka duke filluar me Pep Guardiolën e Zhoze Murinjon, për të vazhduar tani me Pelegrinin, Ançelotin e Roxhers. Unë e di që punoj me njerëz seriozë si Khaldon dhe sheiku Mansur, por nëse do të ishte ndonjë trajner tjetër që do të kishte fituar 3 trofe në 2 vite, nuk do të kishit thënë asgjë për të”, ishte shpërthimi i Mançinit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 04 May 2013 11:02