Roberto Mançini ka kritikuar skuadrën e tij për mënyrën se si është dorëzuar në luftën për titullin kampion pas humbjes 3-1 ndaj Totenhem, duke i dhënë mundësinë Mançester Junajtid të marrë titullin e 20-të nëse fiton sonte ndaj Aston Vilës.
“Junajtid kishte një sjellje më të mirë në këtë kampionat pasi u mundën në sezonin kaluar. Jam shumë i çuditur, mendoja se në këtë pikë të sezonit do të flisnim për një fitore, por tani po flasim për disfatë”, tha trajneri i Mançester Sitit.
“Mançester Junajtid e meritonte të fitonte titullin, por ata nuk janë një skuadër më e mirë se ne. Ata e meritojnë këtë titull pasi ne humbëm shumë pikë në ndeshje në të cilat nuk meritonim të mundeshim, ndërsa Junajtid fitoi shumë ndeshje radhazi”, shpjegoi Mançini.
“A ia kemi dhuruar ne titullin? Me shumë mundësi po. Diferenca prej 13 pikësh ekziston vetëm për shkak të sjelljes. Ata donin më shumë të fitonin pas asaj që ndodhi vitin e kaluar”, përfundoi trajneri i kampionëve në fuqi që në javët e fundit do të mendojnë vetëm për të ruajtur vendin e dytë në klasifikim. (LajmeShqip.com)
Monday, 22 April 2013 13:56