Roberto Mançini ka injoruar një nga fillimet më të dobëta të sezonit të tij si trajner i Mançester Sitit, duke premtuar se do të arrijë të mbrojë titullin kampion që fitoi në sezonin e kaluar.
Humbja e të martës në Kupën Karling përballë Aston Vilës regjistroi herën e parë kur Mançini nuk fitonte në katër ndeshje radhazi, që nga momenti kur mori drejtimin e skuadrës në dhjetorin e vitit 2009. Në këtë sezon, Mançester Siti ka fituar vetëm 2 nga 7 ndeshjet e luajtura në të gjitha turnetë, ndërsa ka pësuar 14 gola.
“Ne do ta fitojmë titullin. E pranoj se vitit i dytë është më i vështirë, por pas problemeve që kemi patur këtë muaj, ne jemi ende vetëm 4 pikë pas Çelsit në kampionat, kemi kaluar dy transferta të vështira si Liverpul e Stouk dhe kemi marrë po aq barazime sa në sezonin e kaluar, dy të tillë”.
“Kjo është një gjë që mund të ndodhi në vitin pasi ke fituar titullin kampion, në dy muajt e parë nuk luan mirë. Por kemi rikuperuar Serxho Agueron që është i rëndësishëm për ne dhe jam i bindur se tani do të pësojmë më pak gola e do të shënojmë më shumë”.
Mançini i vë fajin për formën jo të mirë faktit se ka patur shumë lojtarë të impenjuar në Euro 2012 dhe në kualifikueset e Botërorit 2014 që u zhvilluan në javët e para të shtatorit. David Silva dhe Karlos Tevez janë dy lojtarë të cilët nuk janë në formën e tyre më të mirë por shkak të ndeshjeve të kombëtareve.
“Karlos ishte më mirë në muajin e parë. Pas pushimit të kombëtareve, ai ka ngadalësuar. Ai ishte fantastik për 3-4 ndeshje, por pastaj shkoi për një javë në Argjentinë dhe humbi formën e mirë që po kalonte”, tregoi trajneri i Mançester Sitit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 29 September 2012 15:01