Trajneri i Mançester Sitit, Roberto Mançini, ka pranuar se do të nevojitej një “situatë e pabesueshme” që skuadra e tij të kalonte fazën në grupe të Ligës së Kampioneve në këtë edicion.
Kampionët e Anglisë kanë vetëm një pikë dhe aktualisht gjenden në vendin e fundit të të ashtuquajturit “grupi i vdekjes” pas humbjeve ndaj Real Madrid dhe Ajaks, si dhe barazimit me Borusia Dortmund. Kjo ka shtyrë trajnerin 47 vjeçar të deklarojë se skuadra e tij nuk është ende në gjendje të cilësohet një pretendente për fitoren e turneut.
“Nuk mendoj se jemi gati të fitojmë Ligën e Kampioneve”, tha ai për “The Guardian”. “Nuk do të ishim të ndershëm nëse do të thoshim se jemi gati për ta fituar këtë turne. Në Ligën e Kampioneve është e qartë se situata të pabesueshme mund të ndodhin në shkurt dhe mars, por ashtu si në vitin e kaluar, shorti na ka vënë në një grup shumë të fortë”.
“Ne jemi një skuadër e mirë, por nuk jemi gati për Ligën e Kampioneve, si ekipe të tjera. Çelsi u mundua për 10 vite me radhë të fitonte Ligën e Kampioneve. Ata ndoshta ishin skuadra më e mirë në Evropë për 10 vite, por e fituan vetëm në majin e kaluar, pas 10 vitesh, me shumë mundësi atëherë kur nuk e meritonin. Ata meritonin ta fitonin këtë trofe 3-4 vite më parë”, deklaroi trajneri italian, i cili gjithsesi pretendon që tani lojtarët e tij të marrin maksimumin nga ndeshjet e mbetura për të luajtur çdo shans të mundshëm që kanë për të kaluar në fazën tjetër të turneut.
“Lojtarët me detyrohen tre paraqitje të mëdha. Kemi më pak shanse për t’u kualifikuar në turin tjetër, por kur je një skuadër e madhe, edhe nëse eliminohesh duhet të luash me 100%”, tha Mançini. (LajmeShqip.com)
Monday, 05 November 2012 14:01