Roberto Mançini ka paralajmëruar të gjithë futbollistët e Mançester Sitit se duhet të fillojnë të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre për gabimet që kanë kryer duke dëmtuar shanset e skuadrës për të mbrojtur titullin kampion në Angli. Vetëm pak ditë pas një sulmi publik ndaj Samir Nasri dhe Xho Hart, trajneri italian ka shtuar dozën e kritikave.
“Mua nuk më pëlqejnë lojtarët që mendojnë se asnjëherë nuk është faji i tyre. Lojtarë të tillë nuk mund të luajnë me mua. Shpesh është e rëndësishme që një lojtar të marrë përsipër përgjegjësitë, pasi kur je një futbollist elite, fiton shumë para dhe duhet të jesh gjithmonë në 100%. Unë dua lojtarë të fortë që mërziten me mua kur nuk i aktivizoj, por më pas duhet të më provojnë mua se e meritojnë të luajnë. Kjo është arsyeja pse kam kërkuar të afrohen 2-3 lojtarë të tjerë të mirë në skuadër”, ishte paralajmërimi i Mançinit.
Trajneri italian është përballur me kritika pas komenteve të fundit, pasi shumëkush mendon se deklaratat mbi Nasri e Hart kanë dëmtuar ambientin në skuadër.
“Unë e thashë se sipas mendimit tim, Nasri është një lojtar elite. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Xho. Por nëse jam një lojtar elite, unë dua që të luaj mirë në çdo ndeshje dhe këtë koncept e di mirë Nasri, pasi kemi folur bashkë rreth kësaj situate”, shpjegoi trajneri italian duke hedhur poshtë zërat për mosmarrëveshje me lojtarët. (LajmeShqip.com)
Monday, 04 March 2013 10:30