Trajneri i Mançester Sitit, Roberto Mançini, ka pranuar se ka qenë në bisedime me shumë klube para se të vendoste për rinovimin me kampionët e Anglisë.
“Vitin e kaluar unë isha i përfshirë në bisedime konkrete me 7-8 skuadra. Por unë preferoj të qëndroj këtu pasi kam punuar mirë këtu për 3 vite”, u shpreh trajneri italian.
Gjatë të enjtes, në shtypin anglez dolën raporte rreth negociatave të tij të zgjeruara me ekipin francez Monako, por ai bëri të qartë se është i dedikuar ndaj klubit plotësisht dhe se dëshiron të vazhdojë te Mançester Siti për shumë vite të tjera.
“Ne kemi fituar 3 trofe në 2 vite dhe tani tre apo pesë vitet e ardhshme do të jenë shumë të rëndësishme për ne. Bashkë me Ferrano dhe Begirishtajn do të kemi mundësinë të punojmë më mirë për të përmirësuar skuadrën. Unë firmosa rinovimin për 5 vite me këtë klub pasi besoj te ky klub dhe po punoj me njerëz shumë seriozë si presidenti ynë”, tha italiani.
“Të punosh me njerëz të tillë është diçka fantastike, pasi është e vështirë në botën e futbollit të gjesh njerëz të cilët punojnë kaq mirë me trajnerin dhe për mua kjo është një situatë fantastike. Vendi më i mirë për mua është këtu, pasi kam punuar shumë këto tre vite për të ndërtuar një skuadër të tillë dhe puna ime është vetëm këtu”, tha ai, duke treguar se nuk i frikësohet aspak zërave që shohin Mançester Sitin të interesohet për Pep Guardiolën. (LajmeShqip.com)
Saturday, 03 November 2012 10:18