Roberto Mançini ka bërë të qartë se mënyra e vetme për të arritur Mançester Junajtid në sezonin e ardhshëm është të shpenzojë përsëri. Trajneri i Mançester Sitit do të kërkojë nga sheiku Mansour që të financojë një tjetër fushatë masive blerje gjatë verës, në mënyrë që të ndërtojë një skuadër më të fortë për të rivalizuar me “djajtë e kuq”.
“Ne nuk jemi si Mançester Junajtid. Ata kanë një histori të madhe dhe na duhen shumë vite për të konkurruar si të barabartë ndaj tyre. Ne duhet të përmirësojmë skuadrën çdo vit dhe në verë duhet të blejmë lojtarë që mund të bëjnë diferencën, lojtarë të rëndësishëm që mund të përmirësojnë ekipin tonë. Ne kemi përcaktuar objektivat e merakos së ekipit dhe tani po punojmë për arritjen e tyre”.
“Nuk di të them se sa para kemi nevojë të shpenzojmë por Mançester Junajtid ka shpenzuar shifra të mëdha shumë vite me radhë për të siguruar lojtarë të rëndësishëm. Tani ata nuk kanë më nevojë të shpenzojnë 100 milion paund në vit për merkaton. Mançester Junajtid është një skuadër e madhe e cila ka nevojë të blejë vetëm një lojtar të rëndësishëm në çdo sezon që të përmirësohet”, shpjegoi Mançini.
“Për ne situata është krejtësisht ndryshe. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë shpenzime masive dhe ndoshta pas 3-4 vitesh, do të kemi edhe ne nevojë vetëm për një lojtar çdo vit, pasi do të kemi një skuadër të fortë”, tha trajneri italian i cili ka pranuar se Ferguson e ka mundur edhe në merkato, duke i marrë vitin e kaluar lojtarin që në këtë sezon po bën diferencën për “djajtë e kuq”, holandezin Robin Van Persi, të cilin Mançester Siti e kishte kërkuar me ngulm prej 2 sezonesh. (LajmeShqip.com)
Sunday, 07 April 2013 10:32