Mançester Siti ka treguar paraqitje të mirë duke e mposhtur 4-0 kampionin në fuqi të Ligës së Evropës, Porton, në ndeshjen e dytë mes tyre duke çuar rezultatin e përgjithshëm në 6-1 për ekipin anglez.
Roberto Mançini u zotua se ai gjithmonë do të luajë me ekipin e tij më të fortë në këtë turne, pasi dëshiron të fitojë një trofe ndërkombëtar.
“Ne kemi luajtur me një ekip të mirë si Porto dhe kjo nuk ishte e lehtë, por 4-0 është ndoshta shumë si diferencë. Megjithatë, e rëndësishme ishte që ne kaluam në fazën tjetër”, tha italiani për “ESPN”.
“Goli në fillim ishte i rëndësishëm, por më pas Porto luajti mirë dhe mbajti zotërimin e topit, ndaj nuk ishte e lehtë të luaje kundër tyre”.
“Nëse është e mundur, ne kërkojmë të shkojmë në finale dhe për këtë arsye ne gjithmonë do të luajmë me ekipin më të mirë. Por kam njëzet lojtarë të mirë kështu që mund të bëhen ndryshime”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 23 February 2012 10:32