Roberto Mançini i ka kaluar të gjithë përgjegjësinë drejtuesve të Mançester Sitit për mungesën e nënshkrimit deri tani me sulmuesin holandez Robin Van Persi, I pyetur në Pekin ku gjendet në turne me skuadrën rreth këtij futbollisti, ai ka bërë të qartë se shefi i klubit ishte personi i duhur që duhej të përgjigjej rreth çështjes së transferimit, ndonëse vazhdonte të shpresonte që një gjë e tillë të bëhej realitet.
“Për përgjigje të tilla duhet të flitni me personin përgjegjës dhe ai nuk jam unë. Është e rëndësishme që të afrojmë lojtarë cilësorë. Pas asaj që arritëm një vit më parë, është e rëndësishme të përforcohemi, pasi tani do të jetë gjithçka shumë më e vështirë. Por kemi njerëz që merren me këtë punë dhe shpresojmë që ata të bëjnë më të mirën”, tha trajneri i cili duket qartësisht që është stresuar nga kjo telenovelë e gjatë me lojtarin holandez.
Mançini ka patur fërkime me drejtuesit e klubit edhe gjatë verës së kaluar kur kërkoi përforcime të tjera, ndërsa tani mund të flasë në pozita më të favorshme pasi i është rinovuar kontrata dhe nuk rrezikon vendin e punës.
Ndërkohë, klubi ka vendosur t’i rinovojë kontratën kapitenit Vinsent Kompani, i cili ka nënshkruar për 6 vitet e ardhshme me kampionët e Anglisë. 26 vjeçari ka treguar se ky është një projekt ambicioz dhe ishte i lumtur që klubi mendonte për vënien e tij në zbatim bashkë me lojtarin belg.
“Kam qenë këtu që në fillim dhe kam parë gjërat të ndryshojnë, duke patur edhe ndjesinë që kam qenë pjesë përbërëse e këtij ndryshimi. Për mua është kompliment që më bëhet, pasi rinovimi për 6 vite do të thotë se klubi mendon shumë pozitivisht për mua”, tha Kompani. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 July 2012 12:30