Roberto Mançini i ka bërë të qartë Zhoze Murinjos që të mos tentojë të futë hundët në çështjet dhe problemet e skuadrave të tjera. Tekniku italian është irrituar kur ka dëgjuar se portugezi deklaroi se do ta kishin shkarkuar nga puna nëse do të ishte eliminuar nga Liga e Kampioneve me Real Madrid që në fazën në grupe.
“Murinjo nuk është pronari i klubit tim, nuk është shefi im. Ajo që ka thënë Murinjo nuk është aspak interesante. Ai do të flasë gjithmonë rreth gjithçkaje”, ishte komenti i Mançinit rreth fjalëve të portugezit që e eliminoi nga Liga e Kampioneve në ndeshjen e mesjavës.
Italiani u zëvendësua pikërisht nga Murinjo në vitin 2008, pasi u largua nga Interi. Me sa duket, fakti që Murinjo ka deklaruar se Interi fitimtar ishte prodhim i tij dhe jo i asaj që kishte lënë Mançini, ka lënë shenjë te tekniku italian që refuzoi t’i shtrëngonte dorën kundërshtarit në fund të ndeshjes së Ligës së Kampioneve.
“Ne jemi Mançester Siti, nuk jemi as Real Madrid dhe as Mançester Junajtid apo Bajern Mynih që janë mësuar të fitojnë çdo sezon në 100 vite histori. Ne jemi Mançester Siti, një skuadër që për 35 vite nuk ka fituar asgjë por që në dy vite ka fituar 3 trofe. Kjo është një sinjal i mirë por duhet durim. Vetëm një skuadër e fiton kampionatin anglez, vetëm një skuadër fiton Ligën e Kampioneve. Thjesht duhet durim”, tha trajneri italian.
Saturday, 24 November 2012 16:01