Roberto Mançini ka parë se si skuadra e tij, brenda një muaji e gjysmë ka hedhur në erë një avantazh prej 5 pikësh ndaj Mançester Junajtid dhe tani i ndjek këto të fundit me 5 pikë diferencë. Kjo është arsyeja pse trajneri italian ka lënë të nënkuptohet se nuk do të çuditet nëse shkarkohet nga detyra gjatë verës.
“Kur zgjedh këtë punë, e di se gjithçka mund të ndodhë në çdo moment. Në futboll mund të ndodhë gjithçka në çdo moment dhe ky titull kampion mund të ndryshojë duar brenda javës. E njëjta mund të thuhet edhe për të ardhmen time”.
“Marrëdhëniet e mia me administratorin Khaldon Al Mubarak janë fantastike. Nëse ai më shkarkon nga puna në fund të sezonit apo vitin tjetër, unë do të vazhdoja të thosha se çdo trajner që punon me të është shumë me fat. Shkarkimi nuk do të ndryshojë mendimin tim për atë si person apo për klubin”.
Mançini fitoi trofeun e parë për Mançester Sitin duke i dhënë fund 35 viteve thatësi me Kupën FA në edicionin e kaluar. Por pavarësisht këtij suksesi dhe kryesimit për 5 muaj radhazi të kampionatit anglez, ai e di se skuadra nuk është ende në nivelin e duhur. Zgjidhja e tij është ajo e zakonshmja: të blihen lojtarë të tjerë.
“U largova nga Interi pasi kisha fituar 7 trofe në 4 sezone më atë skuadër. Por ajo që kishte rëndësi ishte se punova shumë për të përmirësuar skuadrën. Edhe këtu, kam filluar punën dy vite e gjysmë më përpara dhe që atëherë jemi përmirësuar ndjeshëm. Vitin e kaluar ne përfunduam me 71 pikë, ndërsa këtë vit kemi arritur këtë kuotë kur kanë mbetur edhe 7 ndeshje për t’u luajtur”.
“Me dy apo tre lojtarë të tjerë të afruar pas përfundimit të sezonit, ky klub do të fillojë të fitojë. Dhe kur të fillojë të fitojë, do të marrë 2-3 trofe në çdo sezon”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 07 April 2012 11:02