Drejtuesit e Mançester Sitit janë të bindur se do të arrijnë brenda pak ditësh të sigurojnë firmën e mbrojtësit të Atletik Bilbao dhe kombëtares spanjolle, Havi Martinez, duke paguar për të 25 milion paund.
Disa nga përfaqësuesit e klubit do të jenë të pranishëm në stadium për të parë finalen e Kupës së Mbretit mes Atletik Bilbaos dhe Barcelonës ndërsa janë udhëzuar të kontaktojnë si me klubin, ashtu edhe me lojtarin që kërkohet me ngulm edhe nga Barcelona, Real Madrid e Mançester Junajtid.
23 vjeçari që ka luajtur 7 ndeshje me përfaqësusen e Spanjës, ndonëse luan edhe në mesfushë, kërkohet nga Siti për të formuar dyshen e qendrës në mbrojtje me kapitenin Vinsent Kompani. Ai ka një klauzolë prej 24 milion paund në kontratën e tij me Atletik Bilbaon, ndërsa të katër klubet e sipërpërmendura janë të gatshme ta paguajnë atë duke parë edhe moshën e re të futbollistit.
Por Siti është në avantazh në krahasim me skuadrat e tjera për shkak të rrogave stratosferike që paguan dhe është i bindur se sezonin tjetër do ta sjellë atë në Angli.
Martinez ishte kapiteni i Kombëtares U-21 të Spanjës që u shpall Kampione Evrope një vit më parë. Ai ishte pjesë e kombëtares spanjolle në Botërorin 2010, ku u përfshi për të marrë eksperiencë, ndërsa shihet si zëvendësuesi ideal i Karles Pujol ne qendër të mbrojtjes të Spanjës. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 May 2012 10:00