Mançester Siti ka hedhur poshtë të gjitha zërat se Roberto Mançini rrezikon vendin e punës dhe se klubi dëshiron të sjellë sa më parë Pep Guardiolën në drejtimin e skuadrës. Spekulimet për një mbërritje të mundshme të spanjollit filluan pasi në muajt e fundit u emëruan në pozita drejtuese dy ish-bashkëpunëtorë të Guardiolës, Çiki Begirishtajn dhe Ferran Soriano.
Por burime pranë klubit kanë konfirmuar për “ESPN” se Mançini e ka të sigurt vendin e punës, pasi nuk është rastësi që klubi i rinovoi atij kontratën për 5 vitet e ardhshme gjatë verës, duke e bërë trajnerin më të paguar në Angli.
“Roberto ka fituar 3 trofe në 2 vite e gjysmë dhe iu dha një kontratë e re pesëvjeçare në verë, gjë që nuk do të kishte ndodhur nëse drejtuesit e klubit do të mendonin se nuk kanë trajnerin e duhur në drejtim të skuadrës”, tha ky burim për rrjetin e famshëm televiziv ndërkombëtar.
“Nuk bëhet fjalë kurrsesi për të lëvizur trajnerin, siç është aluduar kohët e fundit. Nuk bëhet fjalë as për të sjellë në klub sa më shumë njerëz nga Barcelona për të afruar Guardiolën. Klubi ka një projekt monstruoz me akademinë dhe Marud do të merret me të. Për këtë arsye u afrua në skuadër edhe Begirishtajn, që të kishte ndarje rolesh”.
Tani pritet të mësohet se si do të bashkëpunojë Mançini me Begirishtajn, duke patur parasysh se marrëdhëniet e tij me Marud nuk ishin nga më të mirat gjatë periudhës kur ky i fundit ishte drejtori sportiv dhe kishte për detyrë blerjen e lojtarëve, pasi nuk e lejonte trajnerin të vepronte sipas qejfit të tij për të blerë futbollistë. (LajmeShqip.com)
Monday, 29 October 2012 14:20