Merkatoja e verës së këtij viti mund të kujtohet gjatë jo për lëvizjet e bujshme të lojtarëve, por për atë të trajnerëve të cilët do të qarkullojnë nga një klub në tjetrin. Gjithçka merr rrugë nga emri i Karlo Ançelotit, i cili mund të vendosë të largohet nga PSZH për të shkuar drejt Mançester Sitit.
Sipas mediave italiane, tre ditë më parë, një anëtar i bordit drejtues të Mançester Sitit ka takuar trajneri italian dhe i ka vënë para një kontratë katërvjeçare prej 12 milionë eurosh në vit. Me sa është mësuar, trajneri italian është gati të pranojë këtë ofertë që i është bërë, për t’u kthyer në kampionatin anglez ku ka lënë kujtime shumë të mira kur drejtonte Çelsin .
Kjo do të thotë se Roberto Mançini do të jetë një trajner i papunë që në këtë verë, pasi me sa duket nuk i pëlqen drejtuesve të rinj të skuadrës, sidomos dy spanjollëve Begirishtajn e Soriano, të cilët kanë shtyrë që bordi të kontaktojë Ançelotin. Njëkohësisht, pankina e PSZH mbetet bosh, duke hapur përsëri spekulime të jashtëzakonshme për “fronin e sheikëve”.
Emri më i përfolur padyshim është ai i Zhoze Murinjos. Portugezi duket se është nisur drejt Çelsit vitin e ardhshëm, por një ofertë franceze mund ta bëjë të ndryshojë mendje, sidomos për faktin se në Francë ka mundësinë të shtojë një tjetër titull pas atyre në Portugali, Angli, Itali e Spanjë, duke u kthyer ndër trajnerët më të mëdhenj të të gjitha kohëve me një CV të pakrahasueshme.
Nëse Murinjo i thotë po PSZH-së, Çelsi dhe Real Madrid do të nisin një betejë të mirëfilltë për të siguruar Jurgen Klop, trajnerin e Borusia Dortmund, që shihet nga të gjithë si një nga emrat më të përshtatshëm për të provuar eksperiencën te një klub i madh. Të gjitha këto lëvizje të mundshme të trajnerëve, e bëjnë verën e këtij viti një nga më interesantet për të ndjekur merkaton. (LajmeShqip.com)
Thursday, 18 April 2013 19:48