Real Madrid ka bërë detyrën në Mançester, duke i marrë një barazim 1-1 Sitit vendas për të kaluar turin dhe njëkohësisht për të eliminuar kampionët e Anglisë.
Në një ndeshje mjaft emocionuese, në fakt ka qenë Reali që ka dominuar pjesën e parë me një lojë të shkëlqyer ofensive, duke gjetur shpejt edhe golin e avantazhit me Benzema që në minutën e 10-të. Spanjollët dominojnë dukshëm në pjesën e parë dhe duket qartë që Siti nuk ka forcë të kundërpërgjigjet.
Por në pjesën e dytë, Mançini bën zëvendësime duke aktivizuar Havi Garsia e Tevez, që i dhanë një shkëndijë më shumë lojës së vendasve. Në minutën e 73-të vjen edhe momenti më i diskutueshëm i ndeshjes kur gjyqtari italian Roki akordon një penallti për Mançester Sitin, si dhe largon me karton të kuq Arbeloan. Aguero transformon saktësisht nga pika e bardhë, ndërsa Siti hidhet në sulm dëshpërimisht duke kërkuar një fitore që mund ta kthente në garë për kualifikimin,.
Por Reali ka rezistuar deri në vërshëllimën përfundimtare dhe ka marrë këtë pikë që i mundëson kalimin në turin tjetër. Madrilenët nuk shqetësohen nga fakti që fitorja 4-1 e Borusia Dortmund përballë Ajaksit, kualifikon skuadrën gjermane si kreu i grupit, pasi kanë kujtuar se si Zhoze Murinjo ka fituar të dy herët Ligën e Kampioneve duke kualifikuar skuadrën e tij si të dytën në grup. (LajmeShqip.com)
GRUPI D
Ajaks-Borusia Dortmund 1-4
86’ Hosen / 8’ Reus, 36’ Gëtze, 41’, 67’ Levandovski
Mançester Siti-Real Madrid 1-1
73’ (p) Aguero / 10’ Benzema
Renditja: Borusia Dortmund 11 pikë, Real Madrid 8, Ajaks 4, Mançester Siti 3.
Wednesday, 21 November 2012 22:59