Mançester Siti ka hyrë fuqimisht në garë për të siguruar shërbimet e Neimar, ndërsa ka filluar kontaktet me menaxherin e tij. Sipas “El Mundo Deportivo”, takimi i parë është zhvilluar një natë më parë në një restorant të Londrës, ku kanë darkuar bashkë menaxheri i lojtarit, Pini Zahavi, dhe drejtori sportiv i Mançester Sitit, Çiki Begirishtajn.
Gazeta spanjolle bën të ditur se drejtuesi i Mançester Sitit ka përfituar nga prania e yllit brazilian në Angli për të bërë një ofertë që në fakt nuk mund të quhet konkrete pasi mendohet se ai i ka bërë të qartë menaxherit se nëse Neimar pranon ofertën e kampionëve të Anglisë, atë e pret një “çek i bardhë” në gadishullin britanik. Kjo do të thotë se sheikët e Mançester Sitit janë të gatshëm t’i paguajnë atij çfarëdo rroge që kërkon nëse pranon t’i bashkohet ekipit që drejtohet nga Roberto Mançini.
Për të mundur konkurrencën e ashpër të Barcelonës, Mançester Siti i ka propozuar gjithashtu menaxherit të yllit brazilian se Neimar mund të vazhdojë të qëndrojë te Santos edhe në vitin e ardhshëm, për t’u transferuar te kjo skuadër vetëm pas përfundimit të Botërorit 2014, kur i mbaron kontrata me klubin brazilian. (LajmeShqip.com)
Thursday, 07 February 2013 17:45