Mançester Siti është gati të fillojë një transformim të rëndësishëm gjatë merkatos së verës, që pritet të kalojë shifrën e 60 milion paund shpenzime, pasi do të kërkohet blerja e Edinson Kavanit nga Napoli dhe Viktor Uaniama nga Sëlltik.
Trajneri Roberto Mançini dhe drejtori sportiv, Çiki Begirishtajn, kanë caktuar si prioritet Kavanin, për të zgjidhur problemet e skuadrës në repartin e avancuar, që është shfaqur shumë larg formës së zakonshme në këtë sezon.
Mançester Siti mendohet se ka hapur bisedimet me Napolin dhe përfaqësuesit e lojtarit, ndonëse fillimisht ishte “trembur” nga klauzola e largimit prej 52 milion paund në kontratën që uruguaiani ka firmosur me klubin italian, e vlefshme deri në vitin 2017. Por duke parë se nuk kanë më shanse për Radamel Falkaon, i cili mendohet se është gati të nënshkruajë për Çelsin, ata kanë zgjedhur që të paguajnë këtë shumë për Kavanin, duke u bërë gati të thyejnë rekordin e transferimeve në Angli.
Për të financuar këtë lëvizje të rëndësishme në merkato, Siti do të shesë edhe Edin Xhekon, pas largimit të Mario Balotelit pak javë më parë. Sulmuesi boshnjak do të sjellë rreth 25 milion paund të tjera në arkat e klubit, duke lehtësuar disi barrën e rëndë që sjell blerja e futbollistit uruguaian.
Ndërkohë, Uaniama është gati t’i bashkohet kampionëve në fuqi të Anglisë që në fund të këtij sezoni, me klubin skocez që kërkon rreth 10 milion euro për mesfushorin kenian. 21 vjeçari shihet si një nga investimet e rëndësishme për të ardhmen afatgjatë të klubit dhe për këtë arsye, është ndjekur me vëmendje nga skautët e ekipit anglez në ndeshjet e fundit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 14 February 2013 09:37