Mançester Junajtid po mendon të bëjë një ofertë zyrtare për të siguruar shërbimet e mesfushorit të Portos, Xhejms Rodriguez, pasi ka dërguar disa nga vëzhguesit e vet për të ndjekur nga afër lojtarin kolumbian në ndeshjen e fundjavës kundër Rio Ave.
Rodriguez është një nga yjet e rinj të Kolumbisë dhe vlerësohet shumë si në vendlindje, ashtu edhe në Evropë, ku ka shkëlqyer me fanellën e Portos, ndonëse vetëm 21 vjeç.
E vetmja pengesë për kryerjen e transferimit për momentin është shifra e lartë me të cilën e kanë vlerësuar drejtuesit e Portos. Mançester Junajtid, në fillim të sezonit kërkoi të dinte çmimin e shitjes së tij dhe u tërhoq kur mësoi se shifra ishte 24 milion paund. Por tani, drejtuesit e klubit portugez i kanë përmirësuar kontratën mesfushorit dhe e kanë rritur këtë shifër në 36 milion paund.
Mendohet se Mançester Junajtid do të kërkojë të përfshijë në marrëveshje transferimin e mesfushorit Luis Nani drejt Portos, në mënyrë që të ulë disi çmimin e mesfushorit, i cili shihet si një alternativë për lojën në krahë të skuadrës angleze. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 27 February 2013 12:19