Mançester Junajtid dhe PSZH kanë nisur jozyrtarisht betejën për të siguruar shërbimet e Kristiano Ronaldo, pasi në mediat angleze e franceze flitet për dy oferta që i janë bërë Real Madrid për lojtarin nga këto klube.
Sipas “The Sun”, Mançester Junajtid ka nisur bisedime intensive me sponsorin sportiv “Nike” për të bërë gati një paketë investimi për kthimin e lojtarit në “Old Traford”, në mënyrë që t’i sigurohet një rrogë e lartë si dhe të paguhet shuma që kërkon Real Madrid. Anglezët nuk do të paguajnë 80 milion paund, aq sa morën kur i shitën futbollistin madrilenëve, por janë gati të ofrojnë 65 milion paund dhe kartonin e Luis Nani për të realizuar këtë transferim.
Por tani duket se oferta më e mirë ka ardhur nga parisienët, sipas asaj që kanë konfirmuar burime brenda klubit të Mançester Junajtid.
“Klubi anglez nuk është i lumtur tani që PSZH bëri lëvizjen e parë me një ofertë të ndjeshme. Por ata nuk do të dorëzohen dhe i kanë thënë menaxherit të Ronaldos se duan të kthejnë përsëri futbollistin”, shpjegoi ky burim brenda klubit anglez.
Sipas mediave franceze, ndonëse PSZH ka refuzuar publikisht se do të hyjë në garë për të siguruar Ronaldon, ata i kanë bërë Realit një ofertë të përafërt me 80 milion paund që ka shpenzuar klubi spanjoll për të marrë futbollistin nga Mançester Junajtid në vitin 2009.
Këto dy oferta në adresë të tij, si dhe fakti që lojtari ka refuzuar të rinovojë kontratën me klubin, bën mëse të mundshme hipotezën e lamtumirës së tij në verë, pasi Reali nuk dëshiron ta shesë me çmim të ulët në vitin e fundit të kontratës së tij apo ta lejojë të largohet me parametër zero pas dy sezonesh. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 30 April 2013 12:08