Mançester Junajtid ka rritur interesimin për mesfushorin e Sëlltik, Viktor Uaniama. Keniani ishte heroi i skuadrës skoceze në ndeshjen e të mërkurës, duke shënuar golin e parë në suksesin 2-1 ndaj Barcelonës, por sidomos duke qenë vazhdimisht një shqetësim për dyshen e mesfushës katalanase, Ksavi-Iniesta.
Paraqitja e tij u mbajt shënim në detaje nga shefi i skautëve evropianë të Mançester Junajtid, Martin Ferguson, i cili ishte i pranishëm në stadium për të ndjekur nga afër 21 vjeçarin e talentuar. Gazetat britanike kanë paralajmëruar prej kohësh për një interesim të “djajve të kuq”, por tashmë duket se ata po bëhen gati të bëjnë edhe ofertën zyrtare pasi kanë ndjekur me vëmendje progresin që ka bërë në kohët e fundit.
QPR kishte tentuar të rrëmbente lojtarin në gusht, por Sëlltik refuzoi një ofertë prej 10 milion paund për shërbimet e tij, ndërsa Arsenal, Mançester Siti dhe Sandërlend thjesht u interesuan për të pyetur nëse lojtari ishte në shitje.
Sëlltik e bleu Uaniama nga Germinal në Belgjikë për vetëm 900 mijë paund një vit më parë dhe sipas trajnerit Nill Lenon, vlera e tij kalon 25 milion paund. Megjithatë, Junajtid do të provojë në janar të bëjë një ofertë prej 12 milion paund për të blerë lojtarin, pasi Ferguson mendon se ai është një futbollist i përshtatshëm për skemat e tij.
Vetë lojtari, i cili ka debutuar me kombëtaren e Kenias që në moshën 15 vjeçare, ka një kontratë me klubin skocez deri në vitin 2014, por ka bërë të qartë se dëshiron të largohet, pasi ka refuzuar mundësinë e rinovimit dhe përmirësimit të saj. (LajmeShqip.com)
Friday, 09 November 2012 10:01