Mançester Junajtid dëshiron të fillojë ciklin e ri post-Ferguson duke afruar në skuadër një prej lojtarëve më të mirë në qarkullim. Për të bërë një gjë të tillë, ata janë gati të thyejnë rekordin e transferimeve të klubit duke i vënë në dispozicion trajnerit David Mojes para të mjaftueshme për të blerë Kristiano Ronaldo apo Garet Beil.
Tashmë trajneri i Mançester Junajtid ka në dorë të vendosë nëse do të ofrojë 85 milion paund për Kristiano Ronaldo, apo do të ndjekë Garet Beil.
Familja Gleizër, e cila kontrollon Mançester Junajtid, kërkon të kthejë përsëri klubin në majën e futbollit evropian, pavarësisht largimit të Aleks Ferguson dhe mendon se duke blerë një prej këtyre dy futbollistëve, do ta arrijë përsëri një gjë të tillë.
Prioriteti mbetet Kristiano Ronaldo, i cili vetëm një ditë më parë hodhi poshtë spekulimet se kishte rinovuar me Real Madrid, duke lënë mëse të hapur mundësinë e largimit nga kjo skuadër. Edhe portugezi do të preferonte të kthehej te klubi anglez ku u be i famshëm, i ndërgjegjshëm se aty do të kishte më shumë shanse që të rifitonte përsëri Ligën e Kampioneve dhe mundësisht “Topin e Artë”, në krahasim me mundësitë që i shfaqen të PSZH apo Monako, dy skuadra të tjera që e kërkojnë.
Rekordi i transferimeve të Mançester Junajtid është shifra e 30.75 milion paund e shpenzuar në vitin 2007 për Dimitar Berbatov, ndërsa në total në atë sezon klubi pagoi 61.75 milion paund. (LajmeShqip.com)
Friday, 14 June 2013 09:20