Aleks Ferguson është gati të bëjë lëvizjen e bujshme të radhës në merkato, duke tentuar të bindë Eshli Kol t’i bashkohet skuadrës së Mançester Junajtid gjatë merkatos së verës.
Problemet me rinovimin e kontratës të mbrojtësit të kombëtares angleze me londinezët e Çelsit, kanë shtyrë teknikun e “djajve të kuq” të mendojë seriozisht për ta sjellë atë në radhët e skuadrës së tij, pasi e sheh si një element që mund t’i japë ende shumë ekipit, pasi jo rastësisht është ndër mbrojtësit e majtë më të mirë në botë.
Sipas “Daily Mail”, Ferguson i ka thënë stafit të tij se është një admirues i Kol, edhe për faktin se ky i fundit është ndër të paktët lojtarë që ka arritur gjithmonë të kontrollojë Kristiano Ronaldon sa herë që është vënë kundër tij. Kur portugezi ishte në radhët e Mançester Junajtid, Kol i afrohej dhe e vinte në presion duke i treguar një xhep imagjinar, si për të thënë se e kishte nën kontroll.
Një ndihmë më shumë për Aleks Ferguson vjen nga fakti se Eshli Kol është një shok i ngushtë i Uejn Runit dhe ky i fundit e ka ftuar disa herë që të bëhet pjesë e “djajve të kuq”, nëse ndonjë ditë do të zgjidhte të largohej nga Çelsi. (LajmeShqip.com)
Saturday, 27 October 2012 12:26