Sër Aleks Ferguson ka pranuar se Mançester Junajtid po i afrohet firmës me talentin brazilian Lukas Moura. Trajneri skocez e di që duhet të gjenden sa më parë zëvendësues cilësorë në mesfushë për dyshen e veteranëve Skols-Gigs dhe duket se 19 vjeçari i Sao Paulo është alternativa më e mirë e mundshme.
Ndonëse brazilianët kanë refuzuar një ofertë prej 29 milion paund për lojtarin, përgjegjësi i gjurmuesve të talenteve të “djajve të kuq”, Xhim Loulor, vazhdon të jetë në Brazil duke negociuar transferimin e mundshëm të futbollistit.
“Nuk kemi arritur ende një marrëveshje përfundimtare. Kemi treguar interesimin tonë, po nuk mund të themi se është futbollisti ynë deri në momentin që palët nënshkruajnë. Nuk kemi qëndruar duarkryq gjatë kësaj periudhe, por mundohemi që të sjellim sa më shumë futbollistë cilësorë në klub”, tha Ferguson.
Lukas Moura kërkohet edhe nga skuadra të tjera si Inter, Real Madrid e Totenhem, por vetëm Mançester Junajtid ka bërë një ofertë serioze, ashtu siç konfirmoi drejtori i klubit të Sao Paulo, Marko Aurelio Kunja.
“Ata kanë bërë një ofertë shumë të rëndësishme prej 29 milion paund, por duhet të shtojnë diçka më shumë. Për ne, vetëm Neimar vlen më shumë në Brazil. Nuk është se jemi të dëshpëruar për para. Ekonomia braziliane ecën mirë, televizionet na paguajnë shumë dhe nuk kemi pse ankohemi. Për ne vazhdon të jetë më mirë të kesh një futbollist të shkëlqyer në skuadër sesa para në bankë”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Monday, 23 July 2012 15:01