Malaga po mundohet në të gjitha mënyrat që të ndalojë largimin në janar të mesfushorit të talentuar Isko, pasi është mësuar se Çiki Begirishtajn ka vënë emrin e mesfushorit spanjoll në majën e listës së prioriteteve të Mançester Sitit për merkaton.
Trajneri i klubit anglez, Roberto Mançini, mendohej se ka qenë edhe më parë një tifoz i futbollistit që krahasohet me Cesk Fabregas dhe që ka një klauzolë largimi prej vetëm 20 milion eurosh në kontratën e tij me klubin spanjoll, ndonëse mendohet që vlera e tij duhet t’i afrohet 30 milionë eurove.
Mançini ka ndjekur lojtarin në veprim në ndeshjen kundër Atletiko Madrid në fillimin e këtij muaji, për t’u bindur përfundimisht për vlerën e 20 vjeçarit i cili ka fituar edhe një ftesë nga përfaqësuesja spanjolle në majin e këtij viti.
Klubi i Malagas mendonte se kishte blinduar futbollistin duke i vënë klauzolën prej 20 milion eurosh në kontratë, por ata nuk e kishin parashikuar se lojtari do të shkëlqente që në javët e para të sezonit të ri dhe se vlera e tij aktuale do të ishte shumë më e madhe. Si rrjedhojë, atë tashmë po mundohen që të rinovojnë kontratën e futbollistit, duke e çuar përfundimin e saj në vitin 2017, për të përmirësuar ndjeshëm rrogën e tij, por edhe për të rritur klauzolën e largimit në të paktën 35 milionë euro. Në këtë mënyrë, ata janë të sigurt që në rast largimi, futbollisti 20 vjeçar do të sjellë të ardhura të ndjeshme në arkat e klubit, pasi është mësuar se përveç Sitit, interesim për të ka shfaqur edhe Real Madrid. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 31 October 2012 12:30