Forma e shkëlqyer që po kalon Gonzalo Higuain, e ka bërë atë një prej emrave më të kërkuar në merkaton e futbollistëve dhe për këtë arsye shumë klube janë gati të bëjnë çmenduri për ta blerë.
Por duket se për futbollistin është hapur një alternativë shumë interesante për të qëndruar në Spanjë, pasi tani për të interesohet Malaga. Klubi që u ble nga familja mbretërore e Katarit, është transformuar nga një skuadër që luftonte për mbijetesë, në një ekip që tashmë synon venet e larta në klasifikim.
Nën drejtimin e trajnerit Manuel Pelegrini, ky ekip tashmë mban vendin e katërt në renditjen e kampionatit spanjoll dhe synon që të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve. Sheikët e Katarit i kanë premtuar drejtorit sportiv Fernando Hierro se do të paguajnë çdo shumë për blerje lojtarësh nëse ekipi luan në Ligën e Kampioneve në vitin e ardhshëm.
Për këtë arsye, Higuain do të bëhej blerja e parë e rëndësishme e këtij klubi ndërsa futbollistit mund t’i dyfishohet rroga aktuale që përfiton te Real Madrid nëse pranon transferimin.
Nga ana tjetër, për blerjen e tij do të paguhen 35 milionë euro te madrilenët, ku futbollisti shpesh shihet nga Murinjo si një zëvendësues i Benzema dhe jo si një titullar. (LajmeShqip.com)
Monday, 02 April 2012 10:32