Majkëll Ouen ka zgjedhur rrjetin social “Twitter” për të treguar se nuk i ka pëlqyer aspak paraqitja e Anglisë ndaj Holandës duke insistuar se kombëtarja e drejtuar nga Stjuart Pirs e meritonte humbjen.
“Jam habitur nga reagimi pozitiv pas ndeshjes. Skuadër eksperimentale apo jo, të mundesh në “Uembli” është zhgënjyese. Ajo që dua të them është se nuk është se luajtëm në mënyrë të shkëlqyer dhe ishim te pafat që u mundëm”, ishte komenti i parë i tij.
Më pas, Ouen ka vazhduar duke kritikuar ata që mendojnë se edhe në humbje ka krenari.
“Pavarësisht çfarë skuadre hedhim në fushë, të gjithë duhet të kritikojnë humbjen. A kemi rënë kaq poshtë skuadrave të tjera sa njerëzit tani pranojnë humbjen për sa kohë që “tregojmë pak krenari”? Shpresoj që jo”, ishte komenti i tij i ashpër.
Edhe kapiteni i QPR, Xhoi Barton, ka kritikuar në “Twitter” paraqitjen e përfaqësueses angleze.
“A ju kujtohet të gjithëve koha kur “Uembli” ishte një fortesë? Nëse Anglia mundej aty, plagosej krenaria kombëtare. Por tani ne e pranojmë humbjen si formë progresi”, ishte “cicërima” e Barton, një prej futbollistëve më aktivë në rrjetet sociale. (LajmeShqip.com)
Friday, 02 March 2012 09:32