Boston duhet të gjejë sa më shpejt një mënyrë për të ndalur LeBron Xhejms, në të kundërt seria finale kundër Majemit do të mbarojë shumë shpejt. Ylli i ekipit të Floridas shënoi 32 pikë e 13 topa në tabelë, duke dhuruar një tjetër paraqitje shumë të mirë për të udhëhequr skuadrën drejt suksesit 93-79. Duejn Uejd shtoi 22 pikë e 7 pasime ndërsa Majemi nuk u ku vu thuajse asnjëherë në vështirësi nga ekipi kundërshtar.
Kevin Garnet shënoi 23 pikë e 10 topa në tabelë për Boston, ndërsa Razhan Rondo shtoi 16 pikë, 9 topa në tabelë e 7 pasime. Por pasaktësia në gjuajtje e Pol Pirs e Rei Alen, të cilët falë mbulimit të mirë të mbrojtjes kundërshtare shënuan të kombinuar vetëm 6 nga 25 tenativat e tyre, ishte ajo që për momentin po bën diferencën në këtë seri duke i dhënë mundësi yjeve të Majemit të shkëlqejnë.
Ndeshja e dytë është të mërkurën në darkë përsëri në Majemi, ndërsa sonte kthehet sfida mes San Antonio dhe Oklahoma, ku teksanët kanë mundësi të çojnë në 2-0 avantazhin e tyre në finalen e Konferencës së Perëndimit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 29 May 2012 08:03