Majemi është shumë pranë titullit kampion në NBA, pas fitores 104-98 përballë Oklahomas, që çoi në 3-1 kryesimin e serisë dhe ka tre ndeshje në dispozicion për të gjetur suksesin që i nevojitet për të marrë trofeun.
LeBron Xhejms ishte si zakonisht dominues në lojën e tij, duke realizuar 26 pikë, 9 topa në tabelë e 12 pasime, por duke u detyruar që t’i shohë minutat e fundit të ndeshjes nga stoli pas një dëmtimi që mori duke u rrëzuar në fushë. Fatmirësisht për Majemin, peshën e ndeshjes e shpërndanë lojtarët e tjerë të skuadrës, ku shkëlqyen Uejd dhe Çalmërs me nga 25 pikë.
Oklahomas nuk i mjaftoi paraqitja e jashtëzakonshme e Rasëll Uestbruk, autor i 43 pikëve, 7 topa në tabelë e 5 pasime. Ai ishte arsyeja e vetme pse Oklahoma mbeti në garë deri në sekondat e fundit, pasi me përjashtim të Kevin Durant (28 pikë), asnjë lojtar tjetër i kësaj skuadre nuk shënoi më shumë se 8 pikë.
Ndeshja e 5-të e finaleve është të enjten në darkë, ndërsa stafi mjekësor i Majemit nuk ka bërë të ditur nëse LeBron Xhejms do të jetë i gatshëm për këtë sfidë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 20 June 2012 08:02