Maikon është i vendosur t’i qëndrojë idesë së tij për t’u transferuar te Real Madrid dhe po bën të pamundurën për të mos luajtur në Europa League me skuadrën e Interit. Futbollisti kishte kërcënuar se nuk do të zbriste në fushën e lojës në ndeshjet kundër Hajduk Split pasi nuk dëshironte të digjte mundësinë për t’u aktivizuar në Ligën e Kampioneve nëse kalonte te madrilenët.
Ndonëse Inter ka refuzuar kërkesën e lojtarit dhe e ka përfshirë atë në listën e lojtarëve të gatshëm për dy sfidat e turit të tretë paraeliminator, braziliani përsëri do të mungojë në këto ndeshje për shkak të një dëmtimi “diplomatik”. Sipas asaj që ka zbuluar gazeta “Marca”, ky dëmtim është përdorur si justifikim nga palët që Interi të dilte i “larë” para tifozëve për mosaktivizimin e Maikon.
Zyrtarisht, lojtari ka një hematomë në pulpë dhe nuk dëshiron të rrezikojë përkeqësimin e saj, prandaj nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Stramaçioni as për ndeshen e kësaj jave, e as për atë të javës së ardhme.
Jozyrtarisht, ai është në pritje të marrëveshjes mes dy klubeve për transferimin e tij, ndonëse Reali kërkon të presë deri në ditët e fundit të merkatos për të parë se mos gjen një alternativë më të re në moshë për krahun e djathtë të mbrojtjes, meqenëse braziliani është tashmë 31 vjeç. (LajmeShqip.com)
Monday, 30 July 2012 12:52