Trajneri i Volsfburgut, Feliks Magath, ka kritikuar hapur mesfushorin brazilian Diego për sjelljen e tij në stërvitjen e parë me skuadrën gjermane.
Futbollisti 27 vjeçar e kaloi sezonin e fundi në huazim te Atletiko Madrid, ndërsa pritej që të kthehej përfundimisht te ai ekip gjatë verës, ndonëse kohët e fundit është përfolur edhe për interesimin e brazilianëve të Flamengos ndaj tij.
Meqenëse asnjë kontratë nuk është në tavolinë, Diego është detyruar të kthehet te Volfsburg dhe të paraqitet në stërvitje me këtë skuadër, por duke treguar se vazhdon të mos ketë shumë respekt për trajnerin Magath.
Sipas gazetës gjermane “Bild”, Magath ka ironizuar publikisht me brazilianin gjatë stërvitjes së parë 30 minutëshe të skuadrës. “A e shikuat ju atë duke u impenjuar në stërvitje, se unë për vete nuk e pashë një gjë të tillë”, janë fjalët që trajneri u ka drejtuar gazetarëve të pranishëm.
Diego, i cili nuk dinte asgjë rreth këtij komenti të Magath pas shpinës së tij, thjesht ka bërë të qartë se për momentin nuk ka një ofertë konkrete. “E ardhmja ime? Nuk ka asgjë konkrete ndaj nuk dua të flas rreth saj”, tha futbollisti brazilian. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 July 2012 15:35