Lusio nuk është më një futbollist i Interit. Klubi zikaltër, nëpërmjet një deklarate në faqen zyrtare të internetit, ka publikuar zyrtarisht “ndërprerjen miqësisht me marrëveshje të kontratës” me 34 vjeçarin brazilian.
Futbollisti, i blerë nga klubi i Masimo Moratit në vitin 2009, kishte një kontratë edhe për dy sezone të tjera me Interin. Në Itali ai ka fituar një titull kampion, dy Kupa Italie, një Superkupë Italie, një Ligë Kampionesh dhe një Botëror Klubesh, në 136 ndeshje të luajtura.
Por kur të gjithë e bënin të sigurt transferimin e tij në Turqi, në radhët e Gallatasarajit, duket se futbollisti ka ndërruar mendje dhe shumë shpejt pritet të firmosë për Juventusin.
Bardhezinjtë i kanë ofruar atij një kontratë dyvjeçare nga e cila do të përfitojë 2.5 milionë euro në sezon, pa harruar bonus të tjerë në lidhje me paraqitjen personale apo arritjet e ekipit. Drejtuesit e kampionëve të Italisë shpresojnë që me këtë lëvizje të arrijnë të riprodhojnë suksesin e Andre Pirlos të cilin e morën pa shpenzuar asnjë euro nga Milani.
Por Lusio nuk e ka vendin të garantuar në formacionin bardhezi, ai do të jetë një rezervë luksi që Konte mendon të përdorë për të zëvendësuar herë pas here Barzaljin e Bonuçin, të cilët në edicionin e kaluar ishin mes futbollistëve më të aktivizuar të bardhezinjtë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 30 June 2012 08:01